Kryeministri Edi Rama inspektoi këtë të premte kantierin e aksit Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII. I shoqëruar nga zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Rama pa nga afër ecurinë e punimeve në këtë kantier, ku kanë përfunduar 42% e punimeve.
Rama theksoi se “falë Samitit të Bashkimit Europian në Tiranë hyri më në fund në korridoret europiane pas vitesh të tëra ‘luftë’ dhe së bashku me aksin Durrës-Prishtinë-Nish do t’i japë përfundimisht portit të ri tregtar të Durrësit rolin e shumëdëshiruar strategjik, si nyje lidhëse Lindje-Perëndim për lëvizjen e mallrave”.
Kryeministri informoi edhe se po punohet sipas grafikut të përcaktuar për këtë lot të rëndësishëm, i cili është në fazën e përgatitjes për hedhjen e shtresave asfaltike. “Deri tani janë realizuar 95% e veprave të artit si ura, tombino, bokse. Ka përfunduar mbrojtja lumore dhe janë në përfundim shtresat mbushëse të trupit të rrugës ku në total ka përfunduar 42% e punimeve”, theksoi ai.
Nga ana e saj, Balluku u shpreh se ky është një aks me të gjitha patametrat e autostradës moderne, që vazhdon deri në afërrsi të Qafë Thanës. “Pas një bisede intensive me autoritetet e Maqedonisë së Veriut kemi vendosur të ndërrojmë pikën e daljes me Maqedoninë e Veriut”, tha ajo.
Balluku theksoi se gjeologjia në këtë kantier ka favorizuar ecurinë e punimeve dhe lotet po ecin shumë mirë. Segmenti i ri shtrihet përgjatë shtratit të lumit Shkumbin, me një gjerësi 22 metra, me 4 korsi. Po ashtu Balluku foli edhe për negociatat që po zhvillohen për bajpasin e Elbasanit, i cili ka një gjatësi prej 20 km dhe shmang qytetin e Elbasanit.



