Gjatë një takimi me dhomat e biznesit mbi rekomandimet e tyre për përmirësimin e klimës dhe forcimin e dialogut për të rritur reciprokisht kontributin në funksion të zhvillimit ekonomik e social të vendit, kryeministri Edi Rama inkurajoi biznesin privat në vend që të investojë te energjia diellore, si një mundësi për të ulur shpenzimet.
“Bota nuk e ka shpikur ende sesi të futet në sistemin e shpërndarjes e gjithë energjia e prodhuar nga panelet diellore. Por çdo investim është në afatmesëm, një biznes fitimprurës dhe ul ndjeshëm kostot”, tha Rama.
Po ashtu kreu i qeverisë kritikoi anketimet dhe raportet e prodhuara në vend për klimën e biznesit. “Që ka problematikat e veta, as nuk diskutohet. Por mjafton t’i hedhësh një sy gjithë hapave që janë bërë për të përshpejtuar proceset, nga sportelet e radhët, te proceset elektronike, është e pamundur që kjo të mos reflektohet”, tha Rama.
“Anketat jo profesionale, që ta themi troç, cenojnë punën tonë, imazhin e këtij vendi dhe klimën e biznesit. Nuk mund të jemi pre e opinioneve të mbledhura rrugëve dhe të përpunuara në mënyrë kaotike dhe nuk mund të jemi pre e kanaleve që përçojnë vazhdimisht opinione që nuk përputhen me realitetin”.