Pas një kaosi në hyrje të derës së Kuvendit, seanca plenare nisi me vonesë dhe kryetarja Lindita Nikolla kaloi në votim të gjitha projektligjet, edhe pse situata është anormale.
Deputetët e përjashtuar të grupit Berisha-Bardhi pavarësisht kaosit nuk u futën dot në sallë. Por deputetët e pa përjashuar hodhën flakadanë në sallë, por kjo nuk ndaloi mazhorancës që të votojnë ligjet e tyre. Nga ana tjetër, kryeparlamentarja Nikolla tha se në Kuvendin e Shqipërisë ka mbërritur shkresa e Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen për emigrantët me Italinë, duke e hequr atë nga rendi i ditës.
Garda e Republikës ndaloi deputetët e përjashtuar që të futen brenda Kuvendit. Kjo ka acaruar deputetët e tjerë që nuk janë në listën e të përjashtuarve. “Hapni derën!”, “Kush je ti?!”, “Shoqja Lindita, a mund të futem?”, ishin disa nga thirrjet e deputetëve.
Seanca nisi rreth orës 10:20 dhe menjëherë deputetet e opozitës ndezën tymuese ashtu siç kanë bërë javët e fundit. Ndërkohë, Lindita Nikolla nxitoi për të kaluar në votim të gjitha pikat e rendit të ditës, që kaluan për rreth 10 minuta dhe seanca u deklarua e mbyllur. Mes tyre u miratuan edhe ndryshimet e rregullores së Kuvendit, që do të thotë se deputetët që thyejnë rregullat do të përjashtohen jo më 10 ditë maksimumi, por deri në 60 ditë.
Ditën e sotme ishte parashikuar miratimi i marrëveshjes për emigrantët me Italinë, por Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim padinë e deputetëve Berisha-Bardhi duke pezulluar kështu ratifikimin në Kuvend deri me daljen e një vendimi.
Lexoni edhe https://tirananews.al/berisha-deputetet-e-ps-po-futen-nga-vrima-e-miut-noka-parlamenti-eshte-kthyer-ne-burg/
Lexoni edhe https://tirananews.al/flamur-noka-thyen-xhamin-e-deres-se-kuvendit/
