Banorët në fshatin Gruemirë të Malësisë së Madhe janë të tronditur nga video-skandali i efektivit të Policisë, Berhan Bajrakurtaj, i arrestuar prej katër ditësh me akuzën e ngacmimit seksual të një vajze 15-vjeçare.
Ata dënojnë sjelljen e tij, duke shtuar se një polic i tillë që bën gjeste të turpshme nuk mund t’u shërbejë. Por, i gjithë komuniteti në fshatin Gruemirë theksojnë se, nuk ka asnjë rast të evidentuar që mund të lidhet me videon e policit të arrestuar.
Nikollë Butinaj ndërsa kërkon sqarimin e rrethanave të ngjarjes thekson se 53-vjeçari nuk mund të shërbejë më si punonjës policie në atë zonë pas gjithë kësaj dhe se sjellja e tij ka dëmtuar të gjithë imazhin e Policisë së Shtetit.
“Më parë unë e kam njohur si person korrekt dhe që sillej mirë me komunitetin këtu. Nuk e di sa e vërtetë është ajo video apo se si është e vërteta në tërësi, por nga sa kam parë, ato gjeste nuk i takojnë sjelljes së një polici. Patjetër që unë e dënoj si rast dhe se nuk duhej ta bënte asnjëherë. Një polic them se duhet që të jetë shembull për të gjithë komunitetin dhe jo të sillet në atë mënyrë. Në fakt, ne jemi shokuar kur e kemi parë videon dhe denoncimin ndaj tij. Normalisht që kjo ngjarje ndikon edhe për komunitetin këtu dhe për shumëkënd mund të ketë sjellë shqetësime. Berhan Bajrakurtaj nuk mund të shërbejë më si polic në zonën tonë për komunitetin pas asaj që ka ndodhur. Është e papranueshme. Shpresoj që të hetohet plotësisht si ngjarje dhe të dalë e vërteta. Kjo që ka ndodhur ul edhe imazhin e Policisë së Shtetit”, thotë qytetari.
Një tjetër banor i Gruemirës, Selima Canaj dënon gjestet e policit Berhan Bajrakurtaj dhe, sipas tij, presupuzohet se policët duhet që të orientojnë komunitetin drejt vlerave dhe jo të bëjnë gjeste të turpshme. Ai shton se tani, prindërit ndjehen me të drejtë të frikësuar kur shohin të tilla skena.
“Një polici, aq më tepër në moshën që ka ai, nuk i shkojnë aspak gjeste të tilla. Nuk e di sa e vërteta është e gjithë ajo, por nëse rezulton siç thuhet, atëherë do të ishte një problem i madh për policin. Policët janë me shkollë të lartë dhe nuk janë njerëz të pashkolluar apo të papërgatitur nuk duhet që të ndodh. Kur hapet ky lloj paniku, normalisht që prindërit mund të kenë frikë dhe mund të ndjehen të rrezikuar për fëmijët e tyre. Ka ikur koha kur fëmijët e rritur them përcilleshin apo ruheshin si dikur. Ne e pritën duarhapur demokracinë, por mesa duket jemi gabuar. Komuniteti patjetër që pas kësaj ngjarjeje është i shqetësuar, por shpresoj që të dalë e vërteta. Këto ngjarje nuk ndikojnë aspak për mirë dhe duhet që të jenë sa më të pakta”, shprehet banori.
PANORAMA