Teuta i ka dhënë sot lamtumirën Ligës së Europës në turin e dytë, ashtu siç pritej, pasi e kishte të pamundur përballë Granadës, një ekip i cili po bën mjaft mirë në La Liga. Një humbje 4-0 që tregon diferencën e thellë mes dy skuadrave.
Por durrsakët ia bënë shumë të lehtë Granadas duke u shfaqur shumë të frikësuar në minutat e parë të sfidës e duke bërë gabime individuale të pafalshme. Kjo i mundësoi Granadës të shënonte dy herë me Soldado e Kenedi që në 10 minutat e parë, për ta bërë më të thjeshtë kualifikimin e mëtejshëm.
Më pas, do të vinin dy gola të Herrera të cilët mbyllën sfidën që në fillimin e pjesës së dytë dhe vulosën rezultatin e sfidës që nuk ndryshoi derinë fund, edhe pse durrsakët mbetën me 10 futbollistë pas daljes me karton të kuq të Beqjes.