Një 41-vjeçar është vënë në pranga nga policia e kryeqytetit pasi vidhte garazhet e pallateve. Ai është kapur në flagrancë, teksa ka tentuar të vjedhë një garazh në rrugën “Mujo Ulqinaku”.
Sipas policisë, në sajë të operacionit të koduar “Gracka”, është vënë në pranga rreth orës 04:30, E. P, 41 vjeç, banues në Kavajë, (i dënuar më parë për vjedhje).
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr 3, bazuar në mekanizmin, mënyrat, vendin dhe territorin ku kishin ndodhur vjedhjet, dyshohet se ai është autori për vjedhjen e sendeve dhe materialeve në disa garazhe dhe konkretisht:
Më datë 11.03.2019, në rrugën “Hajredin Shtino”, në garazhin e marrë me qera nga shtetasi A.G, dyshohet se ka vjedhur një kondicioner dhe zinxhirët e gomave të automjetit.
Më datë 20.03.2019, në rrugën ‘’Reshit Çollaku’’, në garazhin e shtetasit E.H., dyshohet se ka vjedhur vegla pune si dhe ka dëmtuar derën e mjetit.
Vijon puna për dokumentimin e ngjarjeve të tjera, duke u bazuar në pamjet filmike.
Materialet në ngarkim të shtetasit E. P., i kaluan Prokurorisëpër veprën penale “Vjedhja” parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.
