Policia e Beratit ka vënë në pranga dy persona të cilët kishin vjedhur farmaci bujqësore dhe dyqane ushqimore në dy muajt e fundit.
Sipas policisë gjatë kontrollit atyre u është gjetur dhe kanabis sativa, krahas sasive të mëdha të ushqimeve dhe produkteve farmaceutike bujqësore të vjedhura.
NJOFTIMI I PLOTE
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, krahas angazhimit maksimal për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë vijuar punën për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe kapjen e arrestimin e autorëve.
Në këtë kuadër, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Morava”, në kudër të të cilit u kapen dhe u vunë në pranga dy shtetas, konkretisht:
B. P., 39 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje dhe K. K., 30 vjeç, të dy banues në fshatin Moravë, Berat.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas janë autorë të disa vjedhjeve të ndodhura në fshatin Moravë dhe në fshatin Lapardha, ku kanë vjedhur në disa farmaci bujqësore dhe dyqane ushqimore, në harkun kohor të dy muajve të fundit.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e shtetasit B. P. janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 0.5 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, si dhe një sasi e madhe ushqimesh dhe pesticide bujqësore. Gjithashtu u sekuestruan dhe dy automjete në pronësi të autorëve të arrestuar.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’’ dhe “Vjedhja, kryer në bashkëpunim”.
