Një nga kandidatët që kaloi sot filtrin e Komisionit të Posaçëm, Kamerion Salillari tha përballë ‘vëzhguesve’ se një nga gjërat që e ka shtyrë të kandidojë është paga që do të marrë. Kjo gjë u prit mirë nga Damian Gjiknuri dhe Myslim Murrizi.
Pjesë nga biseda:
Kamerion Salillari: Një nga gjërat që më ka shtyrë të aplikoj është rroga që do të marr sepse do të ndihmoj familjen. Është atraktive paketa ekonomike që ofrohet.
Damian Gjiknuri: Je i vetmi që e the këtë.
Kamerion Salillari: Jo më pëlqen vërtetë. Realisht.
Myslim Murrizi: Këta nuk e thonë se punojnë për devotshmërinë për vatanin, punohet me part-time. Ka një muaj punë njëherë në dy vjet bëjnë edhe punë të tjera. Të falenderoj shumë se je i drejtpërdrejtë.
Komisioni i Posaçëm për Përzgjedhjen e Anëtarëve të KQZ-së së re u mblodh sërish sot për të intervistuar kandidatët e mbetur. Komisioni i drejtuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri zhvilloi dëgjesat me 28 kandidatët e tjerë nga lista prej 53 kandidatësh në total. Mbledhja nisi në orën 16:00, dhe si një ditë më parë, kur u zhvillua seanca e parë dëgjimore, pati mjaft batuta.
