Edhe pse kanë kaluar mëse 80 vite nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, vijon debati mes pasardhësve të partizanëve dhe ballistëve. Kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së veteranëve të LANÇ Odhise Porodini, i është përgjigjur akuzave të bëra nga kreu i Partisë Balli Kombëtar, Adriatik Alimadhi për partizanët.
Përmes një reagimi në llogarinë e tij në “Facebook”, pak ditë më parë Alimadhi i cilësoi partizanët dhe komunistët kriminelë që i kanë duart e lyera me gjak, ndërsa theksoi se këto krime sipas tij, duhet të ndëshkohen me ligj, si e vetmja mënyrë që siç thotë ai do të vendos drejtësinë e munguar në vend, transparencë kjo që nuk është bërë në shumë dekada.
Në një prononcim për gazetën “SOT”, Odhise Porodini, i cilësoi deklaratat e Alimadhit si deklarata që vijnë nga një person i cili sipas tij është antishqiptar. Ai deklaroi se si kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve do të kërkojë tek Kryesia e Kuvendit që këta njerëz të përjashtohen nga Parlamenti.“Në fakt nuk është hera e parë që ai palo ballist që nuk e di se si ka ardhur aty në Parlament, por që të flasësh për atë luftë heroike të popullit shqiptar në të cilën pjesëmarrja ka qenë masive që nga të rinjtë dhe deri tek të moshuarit. Partizanët ishin luftëtarë që luftuan në male dhe luftuan kundër një bishe si ishte fashizmi dhe në ato beteja ranë 28 mijë dëshmor. Të mohosh atë luftë dhe të flasësh gjëra të tilla nuk mund që të jesh normal, të mohosh atë luftë legjendare dhe atë gjak të derdhur, këta njerëz nuk meritojnë që të qëndrojnë në Parlament, por duhet që të përjashtohen se janë antishqiptar. Unë si kryetar i komitetit kombëtar të organizatës së veteranëve do të kërkoj tek kryesia e Kuvendit që këta njerëz të përjashtohen nga Parlamenti. Organizata e veteranëve është e vendosur që të luftoj deri në fund kundër atyre neoballistëve dhe antishqiptareve”, tha ai.