Te Vllaznia nuk e prisnin që trajneri me të cilin kaluan pjesën më të madhe të sezonit t’i braktiste në fund. Fjala është për Mirsad Jonuz i cili respektoi kontratën deri më datë 31 maj dhe i shtyrë edhe prej situatës së vështirë financiare në klub, u largua pa biseduar për një marrëveshje të re me drejtuesit shkodran.
Gjithsesi, kuqeblutë duhet të çojnë deri në fund sezonin dhe kur kanë mbetur tetë ndeshje për t’u zhvilluar kanë gjetur zëvendësuesin duke vendosur t’ia besojnë stolin trajnerit të mirënjohur shkodran, Hysen Dedja.
Palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe pritet që në vijim të bëhet edhe zyrtarizimi. Për 59-vjeçarin kjo do të jetë hera e katërt që do të drejtojë skuadrën e vendlindjes, ndërsa detyrë primare këtë herë do të ketë të mbajë Vllazninë në elitën e futbollit shqiptar.
