Shërbimi fiks i internetit i kompanisë Vodafone, pësoi këtë të mërkurë një ndërprerje të papritur të paktën në qarkun e Tiranës. Situata sipas qytetarëve ka qenë e pa lajmëruar dhe e pa shoqëruar me asnjë njoftim apo sqarim, nga kompania Vodafone në shërbimin fiks (ish-Abcom). Rreth orës 16.30 përdoruesit kanë pasur probleme me sinjalin dhe më pas, qasja në internet ka humbur.
Kompiuerat dhe telefonat e përdoruesve lidheshin me pajisjen e sinjalit VVireless, por aksesi në internet nuk funksiononte dhe faqet nuk hapeshin. Qytetarët thanë se kanë kryer rifillimin e pajisjeve të tyre të rrjetit, por sërish lidhja me internetin nuk ka funksionuar.
Një përdorues i rrjetit në fjalë, tha se tentoi të telefononte kompaninë për të marrë informacion për shkakun e problemit, por edhe numri i tyre fiks, mesa duket ishte jashtë funksionit, pasi askush nuk u përgjigj në numrin +35544500139 e madje, thirrja nuk shkoi fare as në sekretarinë telefonike.
Kjo situatë mesa duket sinjalizon për një problem edhe më të madh të kompanisë në fjalë e cila mesa duket ka humbur qasjen në rrjet edhe sa i përket sinjalit telefonik deri në orën 18:05. Thirrja në numrin +35544500139 kësaj radhe mori përgjigjen se “shërbimi ishte jashtë funksionit për arësye teknike”.