Policia e Korçës ka zbardhur katër raste të vjedhjes në objekte kulti. Në pranga kanë rënë dy autorët e dyshuar të vjedhjeve, ndërsa një tjetër është proceduar në gjendje të lirë.
“Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim, i shtetasve L. G., 52 vjeç dhe O. T., 40 vjeç, banues në Korçë.
Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale”, për shtetasin K. F., 42 vjeç, banues në Korçë.
Nga veprimet hetimore rezulton se shtetasit L. G. dhe O. T., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 27.10.2022, kanë vjedhur në fshatrat Malavec dhe Drenovë, Korçë, në dy objekte kulti (xhami dhe kishë), një shumë lekësh dhe një foni zëri, të cilën më pas ia kanë shitur shtetasit K. F. Gjithashtu, më datë 23.10.2022, në lagjen nr. 2, Korçë, kanë vjedhur një shumë lekësh dhe një ikonë, në një kishë, ndërsa më datë 16.03.2022, në xhaminë e fshatit Malavec, Korçë, kanë vjedhur foninë e zërit”, thuhet në njoftimin e policisë.
