Policia bën të ditur se ka ndaluar në kohë rekord autorin e vjedhjes së një shumë parash në një shtëpi. Bëhet fjalë për një 31-vjeçar nga fshati Pekisht i Peqiit, i cili dyshohet se në orët e para të mëngjesit të së mërkurës ka vjedhur me thyerje një shtëpi ku ka marrë 800.000 lekë dhe 500 €.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se po vijon puna për gjetjen e shumës së parave, që dyshohet se i ka fshehur.
NJOFTIMI I PLOTE
Cërrik
Falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta e profesionale, Policia zbardh në kohë rekord vjedhjen e një shume të madhe parash në një banesë.
Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Cërrik arrestuan në flagrancë shtetasin:
R. Ç., 31 vjeç, banues në fshatin Pekisht, Peqin, pasi dyshohet se në orët e para të mëngjesit të datës 04.03.2020, ka vjedhur me thyerje në banesën e shtetasit H. M., ku ka marrë 800.000 lekë dhe 500 €.
Vijon puna për gjetjen e shumës së parave, të cilat dyshohet se i ka fshehur.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale “Vjedhja”.
