Presioni i ndërkombëtarëve i dha efektet një ditë më parë, teksa amendamenti kushtetues për zgjatjen e afatit të organeve të vetingut u mbështet edhe Lulzim Basha me deputetët e tij.
Amendamenti kaloi me 108 vota pro dhe 4 abstenim. Por si votuan deputetët për këtë amendament?
Sipas të dhënave elektronike, nuk kanë votuar për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut Sali Berisha; Luan Baçi; Luçiano Boçi; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici; Sorina Koti; Bujar Leskaj; Flamur Noka; Edmond Spaho; Agron Shehaj; Tritan Shehu; Albana Vokshi. Të gjithë këta nuk kanë votuar asnjërin prej tre projektligjeve të miratuar dje.
Ndërkohë, sipas procesverbalit të Kuvendit, votë “pro” nuk dha as ministrja Belinda Balluku edhe pse sipas administratës së këtij institucioni ajo ishte prezente në sallë.
Edhe pse nuk ka votuar për vettingun, rezulton se Balluku ka dhënë votë “pro” për ngritjen e komisioneve për Reformën Territorial dhe atë Zgjedhore.
Katër deputetë të tjerë nuk kanë shprehur vullnetin e për këtë projektligj pasi nuk kanë qenë fare të pranishëm, ata janë Alfred Rushaj; Edi Paloka; Tomor Alizoti dhe Flutura Açka.
Ndërkohë, rezulton se Grida Duma nuk ka votuar për komisionin e Reformës Zgjedhore, edhe pse ka votë “pro” për vettingun dhe Territorialen.
