Festa mes shqiptarëve, disa gota alkool më shumë, dhe ndoshta një ngacmim në drejtim të një vajze, dyshohet se u bënë shkak për një ngjarje tragjike në Turbigo të Italisë. Si pasojë i këtij sherri, 23-vjeçari Emanuel Rrokun u vra. Mediat italiane kanë zbardhur dëshminë tronditëse të një italiani, Luca di Cuggiono.
“Ai që qëlloi, përpara u zu me partneren. Njëri ndërhyri dhe ai iu përgjigj menjëherë me armë, duke e plagosur në këmbë. Ishte dukshëm në gjendje të dehur. Pastaj shpërtheu gjithçka. Dolën të gjithë jashtë nga lokali dhe i hipën sipër për ta çarmatosur. Kishte një pistoletë të vogël. Pastaj ndodhi tragjedia. Ai qëlloi edhe njëherë dhe e vrau të riun duke e qëlluar në qafë”, tregoi dëshmitari.
Luca ishte afër ambulancës dhe pa momentin kur punonjësit e emergjencës përpiqeshin të mbanin në jetë të riun shqiptar. “Një djalë i ri nisi të bërtiste, po vdes-po vdes. Ai që qëlloi ishte përtokë në trotuar, të gjithë po e shanin. Një vajzë ulërinte. Erdhën shumë makina të karabinierëve dhe një makinë me shqiptarë”.