59-vjeçari Martin Bardhi u vra këtë të martë në qendër të Rrëshenit. Ai u ekzekutua para lokalit në pronësi të tij. Dyshimet e para janë që ngjarja të ketë ndodhur për shkaqe hakmarrje. Kjo për shkak të konflikteve mes fisit Bardhi dhe Reçi.
Bardhi sapo ishte liruar nga qelia e burgut. Ai ishte lënë me masën e sigurisë detyrim paraqitje pasi në muajin Mars u arrestua si një nga autorët e përfshirë në atentatin ndaj Saimir Reçit në Rrëshen. Kjo ngjarje e 6 muajve më parë ka një të përbashkët me vrasjen e sotme. Data e krimit. Më 26 mars u qëllua ndaj Saimir Reçit, ndërsa më 26 Shtator u vra Martin Bardhi.
Atëherë u qëllua ndaj makinës së blinduar të Reçit. Ky i fundit humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një bordurë, por nuk u plagos. Saimir Reçi është nipi i Kastriot Reçit, i cili në vitin 2020 u ekzekutua me snajper në qendër të Rrëshenit.