Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me vrasjen e civilëve në Ukrainë nga forcat ruse. Me anë të një postimi në rrejtët sociale, kreu i qeverisë shqiptare thotë se këto krime nuk justifikohen, ndaj duhet një hetim i pavarur.
“Imazhet e tmerrshme të civilëve të vrarë në Bucha Massacre, Ukrainë, nga ushtria ruse janë tronditëse. Duhet bërë gjithçka për një hetim të pavarur të krimeve të tilla të tmerrshme. Asgjë nuk mund të justifikojë një mizori të tillë. Sa dhimbje dhe sa turp”, shkruan kryeministri Edi Rama.
Më herët edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dënuar sulmet ruse, duke i bere thirrje bashkësia ndërkombëtare të shumëfishojë përpjekjet për të ndaluar makinerinë vrasëse të Kremlinit.
“I shokuar nga mizoritë e ushtrisë ruse në Bucha dhe rajone të tjera të Ukrainës. Civilët e masakruar, varret masive dhe përdhunimet janë evidenca të pakundërshtueshme të genocidit që Rusia po zbaton në Ukrainë. Bashkësia ndërkombëtare duhet të shumëfishojë përpjekjet për të ndaluar makinerinë vrasëse të Kremlinit.
Krimet kundër njerëzimit të kryera nga Rusia dhe që po tmerrojnë mbarë njerëzimin duhet të hetohen si të tilla. Si vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria do të japë kontributin e saj në këtë drejtim”, shkruan Meta.
