Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për krimin e kryer ditën e djeshme nga Sokol Halili, i cili vrau ish-bashkëshorten e tij në oborrin e maternitetit.
Kurti thekson se të gjithë personat përgjegjës për mbrojtjen e 35-vjeçares së ndjerë duhet të japin dorëheqje.
“Sot pasdite kam aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur. Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar. I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje”, shkruan Kurti.