Vrasja e policit Xhelal Reçi një ditë më parë tronditi qytetin, teksa policia vijon të jetë në kërkim të zbulimit të autorëve. Deri tani mësohet se janë shoqëruar 20 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, si dhe personat me të cilët dy djemtë e 60-vjeçarit kanë pasur konflikte vitet e fundit.
Ndërkohë bëhet e ditur se kamerat e sigurisë kanë filmuar të gjithë dinamikën e ngjarjes. Ka qenë pikërisht kamera e sigurisë së biznesit të familjes Reçi, por edhe ajo një banke e nivelit të dytë që ndodhej pranë biznesit, kanë arritur të kapin të gjithë skenën e krimit.
Referuar grupit hetimor që kanë bërë këqyrjen e kamerave të sigurisë autorët kanë qenë 2, të cilët kanë qenë të dy të armatosur me pistoletë, por ndaj Xhelalit ka qëlluar vetëm një prej tyre. Autoret kanë qenë të maskuar me kapuç dhe maska kirurgjikale. Pas krimit ata janë larguar me mjetin tip “Toyota”, i cili i priste ato jo më shumë se 10 m larg, biznesit të viktimës.
Pas ngjarjes ato kanë djegur mjetin në aksin Lezhë-Milot, ku pas ekspertizës së policisë ka rezultuar se automjeti i përdorur në atentatin mafioz është vjedhur një muaj më parë në qytetin e Fierit. Gjithashtu sipas kamerave rezulton se 60-vjeçari është ekzekutuar në prani të bashkëshortes së tij, e cila ka qenë brenda biznesit të familjes, kur i është qëlluar burri.
Deri më tani nuk ka asnjë person të dyshuar për krimin e rëndë, por policia e Kurbinit është duke mbledhur çdo provë në vendin e ngjarjes. Gjithashtu, mësohet se deri më tani janë sekuestruar dhjetëra kamera sigurie, ku përveç vendit ku ndodhi vrasja, janë sekuestruar kamera edhe në aksin Lezhë-Milot.
Këqyrja e këtyre kamerave mund të ndihmojë hetuesit jo vetëm për identifikimin e autorëve, por edhe për identifikimin e personave të tjerë që mund ti kenë ndihmuar autorët nga vendi ku ato dogjën automjetin. Ndërkohë që pista e vetme e hetimeve vijon të jetë ajo e konflikteve që kane pasur sy djemtë e viktimës.
