Vrasja e Laert Kekajt në një atentat mafioz të shtunën, ende nuk ka as pistë dhe aq më pak autorë. Gjithçka që ka mundur të zbulojë Policia janë vetëm pamjet filmike të atij momenti fatal ku vrasësit kanë ndjekur shënjestrën e tyre, Laert Kekajn, duke i marrë jetën brutalisht.
Policia dhe Prokuroria e Vlorës kanë në duar një mori dëshmish, kryesisht të familjarëve të viktimës si dhe të miqve të tij. Po ashtu, edhe një dosje voluminoze që lidhet me një krim të ndodhur dy dekada më parë në qytetin e Vlorës, ku viktima u tha se ishte njëri nga dy autorët e një ngjarjeje të rëndë, me pasojë vdekjen e një kambisti.
Rreth 30 personat që janë shoqëruar në komisariat kanë qenë kryesisht dëshmitar okular të cilët kanë treguar ngjarjen e plotë. Sipas tyre makina “Audi A6” me targa italiane, me xhama të zinj kishte në brendësi të saj dy persona, shoferin dhe qitësin. Fillimisht në drejtim të viktimës është goditur kur ai ka qenë në lëvizje me motor dhe më pas ai ka lënë motorin duke ecur për 100 metra në këmbë. Makina e ka goditur me breshëri kallashnikovi disa herë, edhe pse ai po largohej. Në fund qitësi ka dal jashtë Audit dhe është siguruar që e ka ekzekutuar.
Fokusi kryesor është përqendruar te përditshmëria e viktimës. Hetuesit i janë kthyer edhe ngjarjes së ndodhur 23 vjet më parë për të parë nëse vrasja të ketë qenë për hakmarrje, por duke qenë se viktima ka vijuar jetën normalisht pasi ka dalë nga burgu, madje duke mos u larguar nga vendi apo ruajtur, grupi hetimor ka dyshime të arsyeshme ta lërë pistën e hakmarrjes në plan të dytë si motiv të vrasjes së 41-vjeçarit Kekaj.
