Pas 24 orësh, ende nuk ka gjurmë të autorëve që vranë Martin Bardhin, i cili ishte bashkë me 3 miqtë e tij në lokalin e tij. Disa orë pas krimit u shoqëruan në komisariat 10 persona, mes tyre dhe Saimir Reçi e babai i tij, me të cilët Martin Bardhi ishte në konflikt. Ata kanë deklaruar se nuk kanë lidhje me këtë vrasje. Pasi u morën në pyetje, të gjithë u lanë të lirë.
Në mars të këtij viti Martin Bardhi dhe djali i tij dyshohet se qëlluan me armë Saimir Reçin pas një konflkti fizik. 59 vjeçari doli nga burgu pasi dëshmoi se në kohën që ndodhi krimi, kishte qenë në një vend tjetër. Për këtë ngjarje vijon të jetë në kërkim djali i tij.
Përplasja mes dy fiseve ka nisur që në vitin 1994 kur është vrarë Ilir Reçi. Për këtë krim akuzohet një nga anëtarët e fisit Bardhi. Pavarësisht se drejtori i policisë së Lezhës sqaroi se Martin Bardhi kishte problem me disa fise në Rrëshen, Klan News mëson se një tjetër pistë hetimi është dhe aktiviteti jashtë shtetit, i djalit të tij. Dyshohet se i riu është i përfshirë në trafikun e drogës.