Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë ka reaguar lidhur me deklaratat e 23-vjeçarit që vrau me lëndë eksplozive babanë e tij, Durmish Gullucaj, në Selenicë të Vlorës, ku pretendonte se i ati ushtronte vazhdimisht dhunë fizike ndaj tij.
Me anë të një deklarate për mediat, Shoqata e ka cilësuar absurd dhe cinik rrëfimin e djalit të Gullucajt, duke theksuar se “është e paimagjinueshme që një i verbër të dhunojë në mënyrë të vazhdueshme një 23-vjeçar.”
DEKLARATË: SHOQATA E TË VERBËRVE TË SHQIPËRISË
Lidhur me publikimin e tragjedisë së anëtarit Durmish Gullucaj nga Gjormi i Selenicës: Të shqetësuar nga tragjedia e mikut tonë të verbër, por edhe deklaratat e policisë së shtetit mbi shkakun e vrasjes, deklarojmë: Së pari, shprehim ngushëllimin tonë më të thellë për të gjithë të dashurit e të ndjerit, miqtë e tij në degën e Vlorës dhe në të gjithë Shqipërinë.
Së dyti, deklarimi i Policisë së Shtetit se vrasësi, biri i tij, e ka kryer krimin për shkak të dhunimit të vazhdueshëm nga ana e të ndjerit, është absurd dhe cinik. Është e pa imagjinueshme nga çdo mendje e shëndoshë, se një i verbër 56-vjeçar mund të dhunojë në mënyrë të vazhdueshme një 23-vjeçar, të cilin as mund ta gjejë e ta prekë, nëse ai nuk do t’i afrohet.
Shprehim keqardhjen e thellë për vuajtjet dhe tragjeditë në jetën e të ndjerit, i cili ka kaluar përmes disa aksidenteve, situatave të tjera të hidhura, përfshirë diskriminimin dhe fyerjen, përfshirë edhe rastin e fundit të Gjykatës Administrative të Vlorës, e cila me sjelljet e saj e fyeu dhe e diskriminoi atë. I bëjmë thirrje Kuvendit, Qeverisë, organeve të drejtësisë, Avokatit të Popullit, Komisionerit Kundër Diskriminimit, medias dhe opinionit publik për një vëmendje më të shtuar ndaj personave me aftësi të kufizuar dhe një qëndrim më dinjitoz dhe më human ndaj jetës së tyre. Presidenti i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë Av. Ardjan Hysa
