Prokuroria e Tiranës, ka mbyllur hetimet për Ludjan Zaimin, efektivin e policisë të akuzuar për vrasjen e kolegut të tij, Çaush Saliasi, brenda Komisariatit nr.3 në kryeqytet, në maj të këtij viti. Zaimi do të përballet me akuzën e “vrasjes së punonjësit të policisë”.
Pas përfundimit të hetimit, avokatët kanë 10 ditë kohë të paraqesin kundërshti, para se dosja të dërgohet në seancë paraprake. Efektivi 25-vjeçari i Patrullës së Përgjithshme, pretendoi pas ngjarjes se ishte bullizuar dhe fyer në vijimësi prej tij. Ai ishte punonjës i Patrullës së Përgjithshme, prej gati 1 viti e gjysmë.
Plumbat e armës së tij ranë mbi efektivin tjetër të patrullës, 55-vjeçarin Çaush Saliasi, i cili mbante uniformën e policisë prej më shumë se 20-vitesh. Gjithçka ndodhi pak para se dy efektivët të merrnin shërbimin e turnit të tretë. Plagët e rënda i morën jetën Saliasit, ndonëse u dërgua për ndihmë në spital.