Policia e Kolonjës ka vënë nën hetim 24 vjeçarin e identifikuar si Oresti Mezini pasi ka vrarë me armë gjahu një kalë dhe gjithashtu plagosi kalin tjetër në pronësi të Jonida Hënës.
Ndaj të riut rëndon akuza e veprës penale “Keqtrajtimi i kafshës”.
Pronarja e fermës “Sotira Agroturizëm”, Jonida Hëna ka reaguar pasi policia e Kolonjës njoftoi nisjen e hetimeve në gjendje të lirë të 24 vjeçarit Orest Mezinit i cili vrau kalin e saj dhe plagosi një tjetër.
Në reagimin e bërë ajo shkruan se hetimi në gjendje të lirë të të riut, që është fqinj i tyre, bën që të ndihen të kërcënuar për jetën.
“Orest Mezini vrau kalin tonë dhe policia e la në gjendje të lirë. Kjo për ne është sikur të na vrasin për herë të dyte kalin . Tani që kuptuam që komshiu ynë na ka vrarë Balashin dhe ka plagosur një kalë tjetër dhe policia e la në gjendje të lire ndihemi të kërcënuar për jetën tonë.”-thuhet në reagimin e pronares.

