Arlind Hyseni nga Puka i njohur ndryshe dhe me emrin Shpend Mazari është ekstraduar nga SHBA ditën e sotme, pasi është dënuar me 25 vite burg për një vrasje të ndodhur në vitin 2004.
Sipas policisë 34-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar, për veprat penale “Vjedhja, me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Më datë 12.07.2004, rreth orës 03:00, në vendin e quajtur rruga “Besa”, Tiranë, shtetasi Arlind Hyseni, në bashkëpunim me shtetasin F. M. ka tentuar të kryejë vjedhje me armë në banesën e shtetasit M. S. Pas rezistencës së bërë nga banorët, autorët kanë shtënë me armë zjarri, duke vrarë Genci Saden dhe plagosur rëndë M. S. dhe H. S.
Policia e Shtetit shqiptar ka një falënderim të veçantë për Zyrën e Hetimeve Kriminale pranë Shërbimit Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë (DSS), Agjencinë për Emigracionin, Doganat dhe Operacionet Speciale (ICE-ERO), për përpjekjet dhe veprimet e tyre për të realizuar gjithë këtë proces të rikthimit të këtij shtetasi në Shqipëri, për t’u përballur me organet e drejtësisë.
