Gjykata e Korçës ka liruar nga qelia Gerd Gjinararin, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen në Itali të Naim Zyberit, të cilësuar si i forti i Tiranës, në vitin 1997.
Data e vendimit është 14 shkurt, pikërisht ditën e Shën Valentinit. Sot 45-vjeçar, Gjinarari i cili vuante dënimin në burgun e Drenovës ka marrë lirinë me kusht. Arsyeja mbetet ende e panjohur teksa në vendim thuhet se ai dot ë vihet në provë kërkuesi për gjithë jetën. Vendimi mban firmën e gjyqtarit Markelian Kuqo.
Madje në një tjetër pikë të vendimit thuhet se Gjinarari, detyrohet të mos shoqërohet me persona të dënuar, apo bashkëpunëtorë të veprave penale për të cilat është dënuar.
Gjinarari u ekstradua nga Italia në Shqipëri në 2014, ndërkohë që me burg përjetë ai u dënua fillimisht në 1999 nga gjykata e Milanos, duke u deklaruar i fajshëm për vrasje me paramendim në rrethana rënduese në dy raste. Ky vendim mori formë të prerë në vitin 2001.
HISTORIA E TË FORTËVE TË TIRANËS
Në fillim të viteve ’90, Naim Zyberi njihej si një nga të fortët e kryeqytetit, rival i fortë i një tjetër emri të njohur në Tiranë gjatë atyre viteve, Gaz Muça. Zyberi u ekzekutua më 6 gusht të vitit 1997 nga tre persona, dy prej të cilëve Arben Grori dhe Gerd Gjinarari.
Naim Zyberi në vitet e para të ’90-s kishte arritur të mblidhte rreth vetes një grup djemsh, të cilët, sipas mënyrës që kishin vetëpërcaktuar, bënin ligjin në lagjet e kryeqytetit. Ai u cilësua si një nga atentatorët e Gaz Muçës, ngjarje për të cilën edhe u arrestua bashkë me Franc Konomin, i cili nuk u mor vesh asnjëherë se si arriti jo vetëm të dilte nga burgu, por edhe t’i shpëtonte deri në vitin 2010 hakmarrjes së djemve të Rrugës Bardhyl.
Pas hapjes së burgjeve në ’97-n, edhe Naim Zyberi si shumë të tjerë arritën të largoheshin nga qelitë duke rifituar lirinë. Por Zyberi nuk do t’i shpëtonte dot hakmarrjes për vrasjet e Artur Grorit dhe të Gaz Muçës. Ai u ndoq deri në Itali nga vëllai i Grorit, Arbeni dhe atentati i parë iu bë në një bar në Torino, vend ku Naim Zyberi mbeti i plagosur rëndë dhe për këtë arsye, iu desh të qëndronte i shtruar në spital për disa kohë. Madje, për mjekim më të specializuar u dërgua në spitalin e Milanos. Fakti që Zyberi mbeti gjallë nuk bëri që autorët të dorëzohen. Më datë 6 gusht, Gerd Gjinarari, që mbante një tufe me lule në dorë, brenda të cilës kishte fshehur pistoletën dhe Arben Grori, bashkë me një person tjetër, futen në dhomën e spitalit ku ndodhej Zyberi dhe e qëllojnë aty për vdekje. Por shumë shpejt arrestohen nga policia italiane.



