Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë ka dënuar me 10 vite burg ish-efektivin Arbër Sula, i cili në vitin 2021 ka vrarë pas sherrit për radhën në market, Jurgen Duken.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Sula do të vuajë 6 vite e 8 muaj burg.
Vrasja e 29-vjeçarit Jurgen Duka në një supermarket në Tiranë, duket se vërtetë ka ndodhur “për një fjalë goje”.
Të paktën kështu rezulton edhe nga dëshmia e shokut të tij, Orges Drazhi, që u arrestua për moskallëzim krimi. Drazhi është shprehur para hetuesve se situata është acaruar pranë kasës së supermarketit fillimisht për radhën e më pas miku i tij i është drejtuar punonjësit të Policisë duke i thënë:
“Nuk më intereson, unë paguaj edhe pijet e tua”. Kjo ka sjell acarimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, efektivit të Policisë së Dibrës, Arbër Sula, i cili e ka kundërshtuar.
Ai e ka qëlluar Jurgen Dukën me armën e punës, megjithëse në atë kohë nuk ishte në shërbim.
Njoftimi:
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale A.S, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje’’, të parashikuar nga neni 76 i K.Penal.
Fakti objekt akuze lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 14.12.2021, rreth orës 00:20, në lokalin “Market Juli”, në rrugën “Irfan Tomini”, Tiranë, si pasojë e një konflikti të çastit, i pandehuri A.S ka vrarë me armë zjarri shtetasin J.D (M).
