45-vjeçari shqiptar Taulant Malaj, i cili vrau të bijën e tij 16-vjeçare, Xhesika Malaj, si dhe një 50-vjeçar me të cilin dyshonte se gruaja e tij kishte lidhje jashtëmartesore, ka dhënë dëshminë e tij përpara prokurorëve italianë.
“Gruaja ime pranoi që kishte lidhje me Massimon, më kërkoi falje për këtë lidhje, por unë doja të ndahesha”, i tha Malaj prokurorit. Sipas rrëfimit të bukëpjekësit shqiptar, ditët e fundit kishte pasur debate në familje, gjithmonë për tradhtinë e pretenduar dhe i kishte kërkuar divorcin bashkëshortes.
Zënka ditën e ngjarjes së rëndë ndodhi për shkak të disa mesazheve që burri gjeti në telefonin e bashkëshortes. Në momentet e arrestimit Malaj pyeti policët: “Si është Xhesika, a është mirë?”, duke dëshmuar gjendjen konfuze në të cilën ai ndodhej. Pas vrasjes, burri ka xhiruar një video dhe ia ka dërguar një bashkatdhetari të tij, video e cila më pas është përhapur gjerësisht në rrjete sociale.
