Avokati Ylli Manjani ka komentuar vrasjen e Klodjan Rashës dhe dhunimin e djalit të ri tek diga e liqenit. “Të dyja janë akte dhune barbare të shtetit ndaj dy të rinjve”, shprehet Manjani.
Postimi i Manjanit
Vrasja e Klodjan Rashës dhe rrahja kafshërire e djalit të ri tek diga e liqenit janë dy ngjarje të trishta, në tipologjinë e tyre.
Të dyja janë akte dhune barbare të shtetit ndaj dy të rinjve. Klodjani, e pagoi më shtrenjtë..
Në të dy rastet prindërit bënë paqe me shefat politikë të shtetit dhunues. Nuk dua të komentoj për këtë gjë sepse pezmi mund të më shtyjë të shprehem keq.
Por edhe me komunitetin e moralistëve që paqen e prindërve të të rinjve me politikën dhunuese e quajnë akt falje e fisnikërie nuk bie dakort.
Akti i faljes është e vërtetë që tregon fisnikëri. Kanunet tona e njohin këtë akt që nga lashtësia. Por falja ka kuptim ndaj fajtorit dhe jo kryeplakut.
Pra, po të kishin falur policët që në detyrë dhunuan e vranë, do ta kuptoja faljen. Por të mbjellësh ullinj e të bësh teatër mediatik me Velinë, Veliun e Ramën nuk quhet falje, por tallje!!