Janë zbardhur detaje të reja nga sherri më i fundit i ndodhur në kryeqytet, ku për pasojë mbeti i plagosur një person në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje.
Sipas informacioneve, sherri ka nisur në një lokal nate ku ka qenë duke performuar reperi i njohur “Don Phenom”, i cili e ka konfirmuar gjithashtu ngjarjen në një reagim në rrjetet e tij sociale. Ai ka bërë këtë postim për të qartësuar të gjithë fansat e tij se ai nuk ka qenë i përfshirë në këtë konflikt, duke i garantuar ata se ai është mirë. Përmes një video që shpërndau në “Instagram”, Don Phenom theksoi se sherri në fjalë ka ndodhur pasi ai kishte mbaruar së performuari në skenë.
“Ishalla ata që kanë pasur probleme janë okej, ishalla s’kanë asnjë problem në spital. Ata që janë preokupuar ju dua shumë por jam shnosh si molla. Krejt stafi im ka shku në shtëpi. Pasi kemi ikur ne duhet të jetë bërë ndonjë poshtërsi, por ne nuk kemi idenë fare çfarë ka ndodhur”, thotë reperi.
Ndërkohë, kujtojmë se shtetasi i cili mbeti i plagosur nga sherri në lokalin e natës është 39-vjeçari, Shpëtim Metoli.
Po ashtu, policia pohoi se konflikti ka ndodhur para lokalit “Cinco Cavalli”, jo brenda tij. Uniformat blu kanë shoqëruar deri tani 12 persona dhe vijon puna për kapjen e personave të tjerë të përfshirë. Sherri dyshohet se ka nisur për një vajzë.
