Kurbin – Policia ka zbardhur dhe dokumentuar autorësinë e vrasjes me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Kurbin, ndërsa ka identifikuar autorin kryesor të dyshuar të krimit.
Sipas njoftimit zyrtar, si rezultat i hetimeve intensive të grupit të posaçëm hetimor, të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Kurbin, nën drejtimin e Prokurorisë, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi E. S., alias A. S., 40 vjeç, banues në Laç.
40-vjeçari dyshohet si autori i vrasjes me armë zjarri të shtetasit I. Gj., alias I. L., alias I. K., alias I. N., ngjarje e ndodhur rreth orës 22:10 të datës 9 korrik 2026 në Kurbin.
Nga verifikimet e Policisë rezulton se i dyshuari ka precedent të theksuar kriminal. Ai është dënuar më parë me 5 vite burg për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”, ka precedent për armëmbajtje pa leje, si dhe rezulton i arrestuar në Belgjikë për vjedhje.
Për kapjen e tij janë angazhuar, krahas Policisë vendore, edhe shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, ndërsa kontrollet në terren vijojnë intensivisht.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë krim.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
