“Nuk ekziston asnjë listë me emra vizitorësh për shtëpinë private të presidentit amerikan, Joe Biden”. Këtë e konfirmon Shtëpia e Bardhë, në kundërpërgjigje ndaj kërkesës së Republikanëve për informacion lidhur me zbulimin e dokumenteve të klasifikuara në banesën e 80-vjeçarit në Delaware.
Një zyrtar i kabinetit të Biden sqaroi se nuk është praktikë standarde që të mbahet një listë me emrat e vizitorëve të shtëpive private të presidentëve. Të paktën 20 dokumente sekrete janë gjetur në banesën e Biden në Delaware dhe në një zyrë private të përdorur nga ai në Uashington. Dosjet datojnë që nga koha kur ishte zëvendës presidentit nën administratën Obama.
Disa prej dokumenteve mbanin vulën “Top Secret”, niveli më i lartë i klasifikimit, sipas një raportimi të medias CBS. Sipas ligjeve amerikane, të gjitha dokumentet e Shtëpisë së Bardhë duhet të dorëzohen në Arkivën Kombëtare në përfundim të çdo presidence.