Ish-drejtuesit e bashkisë Mat mashtruan për muaj me radhë banorët e fshatrave Gjoçaj se nuk kishin dhënë leje për ndërtimin e HEC-it Zajs-Zallë Gjoçaj.
Ndonëse firmën për lejimin e ndërtimit të këtij HEC-i e kishin dhënë që në tetor 2018, publikisht deklaronin se ishin në mbështetje të banorëve të kësaj zone për të mos cenuar rrjedhën e lumit Flim.
Kryeplaku i këtij fshati, Adem Gjokola iu drejtua Bashkisë Mat, Ministrisë së Infrastrukturës dhe asaj të Mjedisit, duke kërkuar anulimin e këtij konçesioni që shkakton dëme serioze për qindra banorë të zonës së Derjanit e Rukajve. Banorët e shqetësuar protestuan në Burrel e Tiranë, por nuk morën një përgjigje. U organizuan dëgjesa me përfaqësues të fshatrave dhe u ra dakord që bisedimet të vijonin. Por, atëherë kur banorët shpresonin se shqetësimi i tyre mund të hynte në rrugën e zgjidhjes, është zbardhur e vërteta e cila është krejt ndryshe nga sa ish drejtuesit e Bashkisë Mat deklaronin publikisht.
Vetëm pak ditë para largimit nga detyra, ish-kryebashkiaku i Matit, Nezir Rizvani, ka pranuar se ka miratuar një leje të tillë dhe madje ka marrë edhe lekët nga taksa në infrastrukturë, ndërkohë që banorët e këtij fshati jo vetëm që nuk kanë përfituar asnjë investim, por pritet që t’u dëmtohet edhe mjedisi. Në letrën dërguar Kryesisë së fshatit Gjoçaj në korrik, pak para largimit nga detyra, ish-kryebashkiaku i zgjedhur nga PD konfirmon se ka dhënë pëlqimin për ndërtimin e një HEC-i, investim që pritet të cenojë rrjedhën e lumit Flim. /tirananews.al


