Një shtëpi e vjetër në Fushë Kuqe në Lezhë ishte kthyer në një bazë që përdorej nga grupet kriminale për të pajisur me mjetet që përdorin në atentate. Brenda bazës janë gjetur motorë, një mjet, 5 motorë si edhe 4 targa të dyshuara të vjedhura në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe në Kosovës. Automjeti tip “Mazda” rezulton me ndërhyrje dhe me dëmtime në strukturën e tij, për të pamundësuar përcaktimin e të dhënave të automjetit.
Policia ka sekuestruar 400 gramë lëndë e dyshuar eksplozive, me fitil zjarrpërcjellës, e gatshme për shpërthim. Në bazë janë gjetur edhe kapuçë si maska, doreza dhe skafanda motomjetesh, veshje për kamuflazh, si dhe një sërë sendesh të tjera që do t’i shërbenin kryerjes së ngjarjeve të rënda kriminale.
Në pranga ka rënë pronari që kishte përshtatur banesën si bazë për grupet kriminale, Aleks Lulashi, 40 vjeç. Ndaj tij rëndojnë veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, “Trafikim i mjeteve motorike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”. Po ashtu, blutë e Lezhës po vijojnë hetimet për të identifikuar persona të tjerë që janë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Zbulimi i kësaj baze kriminale vjen pak ditë pas vrasjes së Entjan Nikulajt, i cili u ekzekutua mbrëmjen e 2 dhjetorit brenda në makinë teksa lëvizte në hyrje të qytetit të Lezhës. Autorët e vrasjes dyshohet se janë vrasës me pagesë, të cilët aktivitetin kriminal e kanë kryesisht në zonën e Fushë Krujës dhe Kurbinit, ku edhe është zbuluar baza e grupeve kriminale.
Viktima ishte i afërm i biznesmenit Ardian Nikulaj të vrarë me 19 prill të këtij viti në lokalin në pronësi të tij në Shëngjin. Pista kryesore e hetimeve është ajo e gjakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj, ku 40-vjeçari Entjan Nikulaj është viktima e tretë në harkun kohor të pak muajve, pasi pas vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj, në muajin korrik u ekzekutua me armë zjarri në Balldre Nikolin Lekstakaj.