Një variant i ri i koronavirusit me 46 mutacione është zbuluar në Francën jugore nga shkencëtarët, raporton “Daily Mail”.Varianti i ri i Covid-19 u zbulua për herë të parë tek një pacient që u kthye në Francë nga Kameruni. Studiuesit thanë se është shumë herët për të vlerësuar tiparet e tij.Varianti i ri, i quajtur B.1.640.2, u zbulua në 12 pacientë që jetonin në të njëjtën zonë gjeografike në Francën juglindore, tha një ekip shkencëtarësh javën e kaluar.
Ky variant lidhet me linjën e B.1.640, e cila u klasifikua si një variant nën monitorim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në nëntor.
Pacienti i parë i identifikuar me variantin e ri ishte një i rritur i cili ishte i vaksinuar, dhe ishte kthyer në një fshat francez nga një udhëtim në Kamerun. Ai shfaqi simptoma të lehta të vështirësisë në frymëmarrje një ditë përpara diagnostikimit.Analiza e gjenomit zbuloi se virusi i këtij lloji të veçantë ka 46 mutacione, thanë studiuesit.“Është shumë herët për të spekuluar mbi tiparet virologjike, epidemiologjike apo klinike të këtij… varianti bazuar në këto 12 raste”, shkruan ata.
Sipas Daily Mail, varianti i ri me 46 mutacione mendohet se e bën atë edhe më rezistent ndaj vaksinave aktuale.Por ka pak shenja që ky po konkuron variantin dominues Omicron , i cili tani përbën më shumë se 60 për qind të rasteve në Francë.Varianti i ri u zbulua nga akademikët e bazuar në “IHU Mediterranee Infection” më 10 dhjetor, por që atëherë nuk është përhapur me shpejtësi.
