Kur ka mbetur rreth 2 orë e 30 minuta nga orari zyrtar i nisjes së protestës, mësohet se të gjitha degët e PD-së në rrethe janë angazhuar për të sjellë sa më shumë qytetarë në këtë tubim.
Qytetarët që do të protestojnë mësohet se do të mblidhen fillimisht në katër pika. Njëra është ajo në sheshin “Skënderbej”, ku do të grumbullohen grupet e protestuesve që vijnë nga Veriu i vendit, pra qytete si Shkodra, Kukësi, Dibra apo Lezha, Atyre do t’u bashkohen edhe protestues nga qytete si Lushnja, Fieri, Vlora, Saranda.
Ndërkohë, në sheshin “Nënë Tereza” do të bëhet grumbullimi i qytetarëve që vijnë nga qarku i Elbasanit dhe Korçës.
Sa i përket protestuesve nga Tirana, ata do të grumbullohen të gjithë së bashku, ku përfshihen protestuesit e zonës së Astirit që kanë kundërshtuar ndërtimin e “Unazës së Re”, por edhe banorët nga çdo zonë e kryeqytetit, të cilët rrezikohen nga shembja e banesave. Mësohet se ata do të vijnë përgjatë lumit të Lanës së bashku me disa grupe te shoqërisë civile.
Sa i përket kreut të PD, Sali Berisha, ai do të dalë nga selia blu në orën 19:00 nën shoqërimin e anëtarëve të FRPD-së, por edhe anëtareve të Forumit të Gruas.