Klaudia Pepa prej disa vitesh është shpërngulur në Itali, ku po bën realitet ëndrrat e saj, jo vetëm si balerinë por edhe si aktore. Ajo i mungon ekraneve shqiptare ndonëse në rrjetet sociale është aktive dhe pranë ndjekësve të saj. Së fundmi, Klaudia ka realizuar një intervistë me “Revista Class”, ku ka zbuluar detaje nga jeta profesionale dhe personale.
Mes të tjerash, Klaudia ka folur për eksperiencën e saj si protagoniste e klipeve, “Voglio Stare Con Te” e Fabrizio Moro dhe “Loca”, duke u shprehur:
“Për mua mbeten ëndrra të realizuara. Do të shtoja edhe eksperiencën e videoklipit “Mon Amour” të Giulia ft. Samuel, gjithashtu edhe “Amante” të Getoar Selimit. Unë jam shumë ëndërrimtare, kam lindur e tillë dhe besoj se ëndrrat më mbajnë gjallë gjatë gjithë kohës. Jam në dijeni që arti i baletit është i limituar në mundësi dhe moshë, por pasioni me mban zgjuar e më bën të provoj gjithmonë gjëra të reja sa të mundem. Videoklipet dhe bashkëpunimet bëjnë pjesë në larminë e karrierës sime. Në dhjetor do të dalë projekti më i fundit, një bashkëpunim me një artist italian sa i vlerësuar, aq edhe shumë i diskutuar.”
Ndër të tjera, ajo është pyetur për projektet që e lidhin me Shqipërinë dhe planet e reja. Klaudia tregoi se është në krijim të një projekti që ka në thelb baletin dhe kontaktin me njerëzit, por nuk zbuloi detaje të reja.
“Jam në krijim të një projekti që ka në thelb baletin dhe kontaktin me njerëzit, është surprizë… Kam pasur shumë oferta për të qenë pjesë në jurinë e disa programeve televizive, por i kam refuzuar për faktin që nuk ndihem akoma gati për këtë rol. Me siguri në të ardhmen do jenë, pa dyshim, pjesë e eksperiencave të mia. Ne artistët jemi qytetarë të botës dhe dëshirojmë të udhëtojmë me artin tonë sa më shumë të jetë e mundur. Shqipëria ka vendin e parë në zemër dhe, pa dyshim, jam gati të bashkëpunoj apo të vij me projekte të ndryshme gjithmonë.”
Gjatë këtyre kohëve ka pasur lajme për të reja nga jeta private, madje edhe tituj të tipit “Klaudia Pepa po jeton një romancë të bukur”. Por si është e vërteta e tyre? “Sigurisht që ka një histori, por preferoj të jetë private.”- ka thënë Klaudia pa zbuluar më shumë.
E pyetur se cili është pengu më i madh që të ka mbetur nga Shqipëria, Klaudia ka treguar:
“Të kërcej me motrën time. Pamela është këngëtare mezzo soprano dhe studion akoma në Universitetin e Arteve në Tiranë. Me shumë mundësi do të ndodhë në të ardhmen, është një nga ëndrrat e mia të përfshihem në një projekt me motrën time.”