Partia Demokratike ka miratuar udhëzimin që përcakton se cilat vota të demokratëve do të konsiderohen të vlefshme ose jo në procesin zgjedhor për kreun e ri të PD të dielën. Ato fletë që do të kenë shenja ose shënime nuk do t’i shkojnë si votë asnjërit prej katër kandidatëve.
Sipas udhëzimit, të vlefshme do të konsiderohen vetëm ato fletë votimi në të cilat është votuar qartësisht vetëm njëri prej kandidatëve. Në rast se demokratët do të duan të zgjedhin 2 prej kandidatëve në garë, vota nuk do të shkojë për asnjërin prej tyre, por do të shpallet e pavlefshme.
Nul do të jenë edhe fletët e votimit në të cilat:
-Janë bërë shënime ose shenja
-Nuk është votuar për asnjërin kandidat
-Nuk është e qartë për kë kandidat është votuar
-Është votuar për një person që nuk është në fletën e votimit
Vlerësimi i fletëve të votimit do të bëhet nga anëtarët e komisionit zgjedhor, ose mund të kontestohen nga vëzhguesit e secilit prej kandidatëve. Në fletët e votimit kandidatët janë të renditur Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi, Agron Shehaj dhe i fundit kryetari në detyrë Lulzim Basha. Të dielën demokratët do të votojnë njërin prej të katërve të drejtuar partinë më të madhe opozitare në vend, nga ora 8:00 deri në orën 19:00, ndërsa procesi i numërimit do të bëhet në qendrat e votimit dhe jo në selinë blu, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, tw cilat u fituan nga Lulzim Basha me 91.3% të votave.