Komuna e Tuzit në Malin e Zi për herë të parë zhvillon zgjedhje si komunë e Pavarur nga Podgorica pas fitimit të këtij statusi vitin e kaluar. Partitë shqiptare Alternativa Shqiptare, Unioni Demokratik dhe Lidhja Demokratike janë bashkuar në një koalicion me ermin “Malësia na bashkon”. Kryesues i koalicionit shqiptar është Nik Gjeloshaj i cili kandidat përballë Mirza Pepiç të partisë së Milo Gjukanoviç.
Në këto zgjedhje mundësitë më të mëdha i ka faktori politik shqiptar i cili përfaqësohet me Nik Gjeloshaj. Në një sondazh të bërë publik vetëm pak ditë më parë, rezultatet flasin për avantazh prej 7 % të koalicionit shqiptar kundrejt partisë së Milo Gjykanovic.
Në këtë sondazh të bërë publik në mesin e muajit, parashikohet që Forumi Shqiptar të fitojë, 41 % e përkthyer në 15 këshilltarë, ndërsa DPS, 34% apo 11 këshilltarë. Pas tyre vjen Partia Boshnjake, 10 % , pra 3 këshilltarë dhe partitë e tjera po luftojnë që të sigurojnë pozicionin e 1 këshilltari.
Përveç bashkimit dhe garimi me një listë e të gjithë faktorit politik shqiptar atje, aktivizimi dhe mbështetja e shumë figurave të ndryshme nga diaspora shqiptare, kryesisht ajo në SHBA në mbështetje të Forumit dhe në mobilizimin e një pjesëmarrje të shqiptarëve të Tuzit dhe të shqiptarëve të diasporës në votime, janë dy elementë të rëndësishëm të cilët pritet ti japin fitoren Nik Gjeloshajt.
Fushata është zhvilluar relativisht e qetë, si për nga retorika ashtu edhe krahasuar me aktivitetin. Forumi Shqiptar ka zgjedhur kontaktet ‘derë më derë’ si mekanizmin kryesor të zhvillimit të fushatës dhe dialogimit me qytetarët.
Koalicioni “Malësia na bashkon”, shumë pak ka qenë i pranishëm në prezantime mediatike, tryeza debatesh apo në zhvillime tubimesh, ndryshe nga DPS e cila është treguar më aktive në prezantime mediatike të disa investimeve, apo projekteve të ndryshme në zhvillim në komunë.
Programi politik i “Malësia na bashkon”
Kandidati Shqiptar për kryetar i komunës Tuz Nik Gjeloshaj shprehet se Forumi do të angazhohet maksimalisht që Malësia të flasë Shqip. Ai ka premtuar më shumë punësim, ruajtje të gjuhës shqipe, përfaqësim më të madh të shqiptarëve në administratë, hartimin e politikave për të rinjtë dhe shtresat e tjera të popullsisë.
Megjithatë bie në sy fakti se Forumi Shqiptar është treguar i kujdesshëm në mosbërjen e shumë premtimeve apo shpalosjen e një programi të detajuar pasi përgjegjësia dhe kërkesa e llogarisë do të rëndojë më shumë mbi komunën sesa mbi qeverinë qendrore në Podgoricë.