Mbi tre milionë shqiptarë me të drejtë vote i drejtohen këtë të dielë kutive të votimit në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Në garë janë dy koalicione dhe dhjetë parti dhe risi e këtyre zgjedhjeve është se krahas partisë qytetarët mund të zgjedhin dhe kandidatin e preferuar të asaj partie.
Në zgjedhje garojnë 1.841 kandidatë për deputetë, ku 39,76 për qind e tyre janë femra, në 12 zona zgjedhore që korrespondojnë edhe me qarqet e vendit si Tiranë, Durrës, Shkodër, Berat, Dibër, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Kukës dhe Lezhë.
Fushata për zgjedhjet parlamentare zyrtarisht filloi më 25 mars, ndërsa ajo u karakterizua nga takime në formate të ndryshme nga mitingjet elektorale të zgjedhjeve të kaluara, për shkak të masave kundër pandemisë COVID-19.
Procesi i votimit nisi në orën 07.00 dhe mbyllet në orën 19.00.
Në çdo Qendër Votimi do të votohet vetëm me një fletë votimi, ku janë emrat e partive dhe koalicioneve, si dhe numrat, që iu korrespondojnë kandidatëve. Në disa qarqe, konkurrojnë dhe kandidatë të pavarur.
Me qëllim që vota të jetë e vlefshme, qytetari duhet të votojë me një nga tre mënyrat e bëra publike, votuesi mund të zgjedhë vetëm partinë ose koalicionin me shenjën e X ose + në kuadratin e bardhë; mund të zgjedh partinë ose koalicionin dhe vetëm njërin prej kandidatëve të asaj partie, që ai ka zgjedhur, me shenjën X ose + te kuadrati i numrit të kandidatit; votuesi mund të votojë vetëm për një kandidat, pra të bëjë shënimin vetëm në një prej numrave, që i korrespondon kandidatit që ai parapëlqen, me shenjën X ose + në kuadratin e numrit, pa qenë nevoja të vendosë shenjë te kuadrati i partisë apo koalicionin, që ky kandidat i përket.
Sakaq për herë të parë në këto zgjedhje do të zbatohet dhe projekti pilot i votimit elektronik, në njësinë nr. 10 në Tiranë. Për të rezultati pritet të dalë në orën 8.00 të mëngjesit të së hënës.