Enkelejd Alibeaj gjatë prezantimit të kandidatit të PD në Tiranë, Roland Bejko, u shpreh se prej një viti e gjysmë PD ka qenë nën presion.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike theksoi se PD përfaqësohet nga vetë demokratët dhe për këtë kanë edhe mbështetjen e SHBA-ve.
“Partia Demokratike ka qenë nën agresion një vit e gjysmë. Një agresion i cili, po siç e the ti, nga të gjitha anët. Partia Demokratike, ajo e cila lindi 32 vite më parë, si partia anti-komuniste, si partia pro-perëndimore, si shpresa e shqiptarëve të ndrydhur nën diktaturën më të zezë të të gjithë globit. Unë jam i emocionuar si shumë ju të tjerë, për shkak të sakrificës dhe qëndresës që keni mbajtur në këtë 1 vit e gjysmë. Do të duhet që të nxjerrim në pah ato të cilat janë vlerat e rëndësishme që na bëjnë këtu bashkë, që na bën të rezistojmë dhe më tepër se kaq na japin impuls dhe energji për të vazhduar më tej. Njëra anë është po, ruajtja e Partisë Demokratike. Ruajtja e vlerave të Partisë Demokratike, rreth së cilës prej 32 vitesh ne, edhe të parët tanë kanë qenë të bashkuar për të mirën e Shqipërisë.
Së dyti është ruajtja e së djathtës. ajo për të cilën të gjithë ne së bashku që jemi këtu dhe ata që janë jashtë kemi si një sfidë, kemi si një mision: është ruajtja e të djathtës. Panorama politike sot është e tillë, ku të gjitha të majtat, pavarësisht ngjyrave të tyre ku nga e kuqja në rozë janë bërë bashkë dhe do të duan të gjithë shqiptarëve, Tiranës po e po, t’i krijojnë një vitrinë ku të zgjedhin midis: së majtës socialistëve, midis komunistëve të Marko Dajtit po të doni ju, dhe e kuptoni se çfarë dua të them.
Kemi mbështetjen, pikërisht prej atyre të cilët i janë gjendur këtij vendi, këtij kombi I janë ndodhur si mbështetje këtu e një shekull më parë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian, Mbretërinë e Bashkuar. Perëndimi pra! Dhe nuk është pak që një Parti Demokratike si e jona, një parti politike të ketë si mbështetje të saj pikërisht perëndimin. Nuk jemi thjesht dhe vetëm qëndrestar. Por që jemi edhe një reze shprese, drite, ndaj të gjithë asaj qytetarie të Tiranës sidomos, zemra e qytetarisë së gjithë Shqipërisë”, deklaroi ai.
