Rritja e fashës orare, siç dhe paralajmëroi kryeministri Edi Rama do të shoqërohet dhe me forcim të masave shtrënguese e madje dhe ndryshime në Kodin Penal për ashpërsim të ndëshkimeve.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj bëri të ditur se do të përdoren dhe drone inteligjente që do të monitorojnë nga ajri. Ai bëri dhe një paralajmërim për personat që shkelin rregullat e liridaljes.
“Gjithë zgjerimi i fashës orare do të thotë për policinë më shumë kontroll. Dua t’i bëj një thirrje qytetarëve që ta kuptojnë derjtë që gjithë zgjerimi i fashës orare do të thotë që thjeshtë të krijohet më shumë mundësi për ata që duhet të shkojnë në punë dhe të ulet dendësia e qarkullimit që ata që duan të shkojnë për të blerë. Zgjerimi i fashës orare është bërë vetëm për të mundësuar vetëm një destinacion, ose në punë, ose në dyqan për të zgjidhur nevojën imediate jetësore.
Përndryshe kush do të gjendet jashtë kushteve, policia do të shtojë masat e saj për të rritur kontrollin. Në funksion të rritjes së kontrollit janë futur edhe një sasi e caktuar dronësh inteligjentë që mundësojnë identifikim të personave që shkelin, mundësojnë ndjekjen e personave që shkelin rregullin e qarkullimit. Ftoj qytetarët për mirëkuptim dhe moskeqëkuptim të fashës orare. Në tregjet kryesore të vendit do të ketë vëmendje të shtuar”, tha Lleshaj.
