Një 72-vjeçar, Mark Joris, ka humbur kontaktet me familjen e tij. Sipas informacioneve paraprake turisti i huaj me shtetësi belge ka humbur prej 13 shtator. Alarmin për zhdukjen e tij e kanë dhënë familjarët të cilët ishin së bashku në një udhëtim turistik në malet e Shqipërisë.
Të afërmit kanë bërë me dije se 72-vjeçari është nisur nga Peshkopia përgjatë kufirit me Maqedoninë e Veriut Jabllanicës (Kallkanit). Ditën që i moshuari ka humbur kontaktet me familjarët moti ishte i keq me reshje shiu dhe stuhi.
Mark Joris sipas vajzës së tij mendohet që të jetë nisur drejt Kallkanit në Parkun Kombëtar të Shebenikut me qëllim ndjekjen e shtegut ndërkufitar midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me destinacion Ohrin dhe Parkun e Pelisterit në shtetin fqinj.
E bija e tij, Tina Joris, së bashku me stafin e ADZM, Elbasan dhe grupin e shpëtimit të Federatës Shqiptare të Alpinizmit prej ditës së djeshme po zhvillojnë operacione kërkimi të përbashkëta në parkun Kombëtar të Shebenikut përgjatë gjithë vijës kufitare me Maqedoninë e Veriut.
