Në këto dy muaj pushim në Superiore për shkak të pandemisë, kanë qenë të shumta foto dhe videot e lojtarëve pranë njëri-tjetrit. Mosrespektimi i distancave dhe masave të sigurisë në takimet “rastësore” apo në stërvitjet “individuale” ka qenë një temë e diskutuar shpeshherë gjatë kësaj periudhe pauze prej dy muajsh.
Normalisht, nuk ka një protokoll të mirëfilltë se si duhet vepruar në raste të tilla, por te Real Madrid kanë treguar se si është kthimi në stërvitje në sigurinë maksimale, për të evituar që virusi të përhapet e që një lojtar i infektuar të shkaktojë dëm në të gjithë ekipin.
Në pamjet e postuara sot nga vetë klubi, shfaqen lojtarët të cilët mbërrijnë në parkingun e qendrës stërvitore dhe të gjithë shfaqen me maska. Ata kishin udhëtuar për të kryer atje testet për koronavirusin dhe për të marrë udhëzimet nga klubi mbi mënyrën se si do të stërviten në ditët në vijim. Zinedin Zidan ishte ai që takoi me radhë lojtarët por trajneri ruajti distancën me secilin dhe ashtu si të tjerët, mbante maskë në bisedën që zhvilloi në parking, në ambient të hapur, për të evituar çdo rrezik. Një shembull për t’u ndjekur padyshsim në një moment kur pasiguria rreth virusit të rrezikshëm po mban peng edhe futbollin në gjithë botën.
