Kryeministri Edi Rama deklaroi se deri në fund të këtij viti Shqipëria do të ketë në pronësi tre avionë për shuarjen e zjarreve dhe për përballimin e situatave të emergjencës.
Në takimin me zjarrfikësit dhe trupat e Emergjencave Civile, Rama bëri të ditur se procedurat për sigurimin e avionëve janë përmbyllur.
“Kemi mbyllur procedurën për 3 avionë të cilët do të vijojnë në fund të vitit dhe do të jenë në pronësi të shtetit tonë, por kemi një proces të dakordësuar që në një moment nevoje të veçantë kemi në dispozicion edhe avionë që vijnë nga ajo bazë ku po përgatiten dhe do të bëhen gati avionët e ri”, tha Rama.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se ka propozuar një shpërblim të menjëhershëm për të gjitha forcat që do të angazhohen në luftën kundër zjarreve, ndërsa u bëri thirrje edhe bashkive të ndjekin të njëjtën praktikë për zjarrfikësit e tyre.
“Ne do vazhdojmë të investojmë për kushte më të mira dhe dorëzim bashkëpunimi me partnerë dhe sigurisht edhe për pagën tuaj. Këtë herë kam propozuar që të gjitha forcat që i përkasin ministrisë Mbrojtjes dhe do përfshihen në këtë proces të shpërblehen menjëherë me një pagë ekstra dhe i bëj thirrje bashkive të bëjnë të njëjtën gjë për trupat e tyre dhe ta bëjnë menjëherë pa pritur që të mbarojë gjithë beteja”, u shpreh Rama.
