Operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në pyllin me pisha në Pishporo të Fierit, ka vijuar edhe këtë të enjte. Zjarri i riaktivizuar mesditën e djeshme u përhap me shpejtësi duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me pisha në zonën e mbrojtur.
Përgjatë gjithë natës në zonën e dendur të pyllëzuar është ndërhyrë edhe duke prerë disa pisha në mënyrë që të lejohej ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse të cilat bënë të mundur dhe neutralizimin e një perimetri të konsiderueshëm të zjarrit.
Aktualisht në pyllin e Pishporos ndodhen 3 mjete zjarrfikëse, 18 efektivë, dhe 40 forca të ushtrisë të cilat po punojnë për vënien nën kontroll të plotë të gjithë sipërfaqes së përfshirë nga flakët. Kujtojmë se 4 ditë më parë në këtë zonë zjarri përshkoi një sipërfaqe prej 280 ha , u dogjën dy stane, si dhe një magazinë e braktisur.
