Komisioni për Politikën e Jashtme i ka dhënë dritën jeshile zbatimit të marrëveshjes së nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe asaj malazeze për çeljen e një pike të re kufitare Shën Nikollaj-Pulaj. Kjo pikë kufitare vjen në kuadër të ndërtimit të urës mbi Bunë, duke afruar edhe më tej dy vendet.
Në Komisionin për Politikën e Jashtme, për të mbrojtur marrëveshjen i pranishëm ishte Julian Hodaj, zv/ministër i Brendshëm, i cili nënvizoi se kjo marrëveshje është pjesë e serive të marrëveshjeve të nënshkruara me Malin e Zi, gjatë mbledhjes së dy qeverive në Podgoricë, më 27 shkurt 2023.
“Kjo marrëveshje është nënshkruar në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive më 27 shkurt 2023 dhe është propozuar nga pala malazeze. Marrëveshje është komplementare, që i vjen në ndihmë funksionalitetit të ndërtimit të urës mbi Bunë, dhe meqenëse do kemi një urë që lidh dy krahët e kufirit, duhet dhe një pikë kufitare”, tha Hodaj.
Deputeti i PS-së, Lavdrim Krrashi, relator i projektligjit të marrëveshjes u shpreh se kjo nisëm është mjaft pozitive për të fuqizuar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe për të stimuluar turizmin në të dyja vendet. I pyetur nga Kryetarja e Komisionit për Punët e Jashtme, deputetja socialiste, Mimi Kodheli për kohën kur pika kufitare do të jetë funksionale, zv Ministri Hodaj, bëri të ditur se, pika do të jetë funksionale pas përfundimit të urës.
“Ura është parashikuar të mbyllet në fund të vitit 2024 dhe besojmë se në atë moment edhe pika kufitare do të jetë gati. Për kostot do të jemi në diskutim me palën malazeze, pasi do të jetë një godinë e përbashkët. Është shpejt për ta thënë, por ka modele të ndryshme të pikave kufitare, që variojnë nga 2-4 milionë euro. Por është shpejt për t’u thënë fiks, do të kemi takime të tjera ku do planifikohet dhe kostot, e cila do ndahet me palën malazeze”, tha Hodaj.
I pyetur për fluksin e pasagjerëve që do të kalojnë në këtë pikë kufitare, Hodaj tha se do i vijë në ndihmë dy pikave të tjera kufitare Muriqanit dhe Hanit të Hotit, ndërsa pikun pritet ta ketë në kohën e sezonit turistik.
Deputeti socialist, Petro Koçi tha se, Shqipëria po ndjek një politikë fqinjësie me Malin e Zi mjaft të pozitive.
“Unë ironikisht kam thënë se, me zhvillimet e reja Muriqani duhet të quhet Muriqesh, pasi marrëdhëniet mes dy vendeve po përmirësohen gjithnjë e më shumë”, tha Koçi.
Opozita nuk pati pyetje mbi marrëveshjen, ndërsa dy deputetët e Partisë Demokratike në Komision, Agron Gjekmarkaj dhe Tomor Alizoti abstenuan gjatë votimit, ku marrëveshja mori votat pro të mazhorancës.
Marrëveshja e nënshkruar me 27 shkurt 2023, në Podgoricë nga Kryeministri Edi Rama dhe homologu malazez, Dritan Abazoviç përmban 18 nene.
Në relacionin bashkangjitur marrëveshjes theksohet si me rëndësi ekonomike fakti se nga pika e re kufitare do ketë stimulim të shkëmbimeve të aktiviteteve të grupeve turistike dhe të individëve turistë në destinacionet turistike në të dy anët e kufirit. Po ashtu pritet stimulimi i zhvillimit të turizmit në këto zona do të shoqërohet me rritjen e të ardhurave në buxhetet e të dyja vendeve dhe rrjedhimisht, me rritjen e të ardhurave të bizneseve që ushtrojnë aktivitet në këto zona.
Ngritja e pikës së kalimit kufitar dhe ndërtimi i urës do të ndikojë në promovimin ndërkombëtar të turizmit në rajonin tonë, përfshirë këtu edhe rritjen e interesit të agjencive turistike për organizimin e tureve të vizitave turistike dhe njëkohësisht, do të ndikojë në përmirësimin e reputacionit të zhvillimeve turistike të vendeve tona.
Hapja e pikës së kalimit kufitar dhe ndërtimi i urës, përveç përfitimeve financiare dhe turizmit do të ndikojë ndjeshëm edhe në lehtësimin e shkëmbimeve kulturore ndërmjet dy vendeve.
Po ashtu, pritet të ketë ndikim në rritjen e efektivitetit të një kontrolli më të mirë të sektorit dhe vijës të kufirit përgjatë lumit Buna, si dhe shfrytëzimin e vlerave turistike të lumit Buna, liqenit të Shkodrës dhe traditat e banorëve të Ulqinit, Velipojës, Malësisë së Tivarit dhe zonave përreth.
