Zvicra ka vendosur të heqë Shqipërinë nga lista e vendeve me rrezikshmëri të lartë infektimi nga COVID-19.
Sipas një njoftimi të MEPJ-së, masat e reja aplikohen për të gjithë ata, të cilët lejohen të udhëtojnë në Zvicër, konkretisht, shtetas shqiptarë me leje qëndrimi në Zvicër apo shtetas zviceranë të cilët udhëtojnë nga Shqipëria.
Kështu, duke filluar që prej datës 8 prill, shqiptarët që do të udhëtojnë drejt Zvicrës, nuk do të kenë më detyrim karantinimi në momentin e mbërritjes.
Heqja e Shqipërisë nga kjo listë, parashikon që udhëtarët nga Shqipëria në drejtim të Zvicrës, të cilët udhëtojnë në rrugë ajrore, do të kenë detyrimin të plotësojnë një formular digjital me të dhëna dhe të paraqesin rezultatin negativ të testit PCR të kryer jo më herët se 72 orë para udhëtimit.
Për ata që udhëtojnë në rrugë tokësore me mjete transporti publik, do të aplikohet vetëm plotësimi i formularit digjital, pa pasur detyrimin e paraqitjes së testit negativ PCR.
Ndërsa ata që udhëtojnë me automjete private në rrugë tokësore, nuk kanë detyrim të paraqesin asnjë nga dokumentet e mësipërme.