Bajerni e ka të qartë se të blesh lojtarët më të mirë të kushton shumë, por të marrësh të rinj të talentuar dhe t’i bësh më të mirët është strategjia e duhur. Shembulli i gjallë janë Alfonsio Dejvis e Xhoshua Kimih dhe ardhja e talenteve në “Allianz Arena” vazhdon.
Prej ditësh flitej, por sot u zyrtarizua. Tangui Kuasi është zyrtarisht lojtar i Bajern Mynihut. 18-vjeçari aktivizohet si mbrojtës qendre dhe ka provuar të luajë edhe pak më para si mesfushor difensiv, duke treguar se është i aftë t’i mbulojë mirë këto dy pozicione.
Kuasi është rritur në akademinë e PSG, por në fund nuk pranoi të firmoste një kontratë si profesionis me kampionët e Francës. Bajern ishte projekti më bindës për të dhe në fund vendosi tu bashkohet gjermanëve. Ditën e sotme djaloshi ka firmosur kontratën e parë si profesionist, që e mban në Bavari deri në vitin 2024.