Koronavirusi godet futbollin shqiptar dhe godet pikërisht në “qeverinë” e tij, FSHF. Prej disa ditësh zyrat e intitucionit të futbollit janë tërësisht të boshatisura dhe kjo jo vetëm pse u dha urdhëri nga qeveria që të mbyllen aktivitetet që nuk janë të domosdoshme për mbarvajtjen e jetës në vend.
Një nga zyrtarët e FSHF-së, F.R., rezulton të jetë nga personat që ka rezultuar pozitiv ndaj testit të koronavirusit në ditët e kaluara dhe kjo ka bërë që në FSHF të jepet menjeherë urdhëri që asnjë të mos shfaqet në punë. FSHF kishte nxjerrë një pjesë të personelit në punë me turne në ditët e kaluara, por që pasi është konstatuar se punonjësi në fjalë ka shfaqur simptomat, të gjithë janë urdhëruar që të mos dalin në zyrë pasi nuk dihet se sa kohë më parë punonjësi ka qenë i infektuar dhe se duhet të qëndrojnë në karantinë.
VIP Sport ka m ë suar se ata që kanë pasur kontakt të afërt me të, si për shembull personat me të cilët ndante zyrën, u është kërkuar që të vetëizolohen në shtëpi, sipas udhëzimit të autoriteteve shëndetësore që monitorojnë personat e kontaktit, për të evituar përhapjen e mundshme të këtij virusi. Janë paralajmëruar të gjithë punonjësit e tjerë të institucionit që të sinjalizojnë menjëherë nëse shfaqin simptomat, kurse ambientet e FSHF-së janë dezinfektuar. Karantinës nuk i kanë shpëtuar as drejtuesit më të lartë të këtij institucioni, të cilët kishin pasur takime me punonjësin i cili rezultoi pozitiv./ VIPSport.al